UEFA mendon ndryshimin e shortit per ekipet shqiptare

Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës vendosi që dy skuadrat shqiptare që luajnë në Ligën e Europës, Skënderbeu dhe Kukësi, të zhvillojnë dy takimet e para në transfertë, përkatësisht në Ukrainë dhe në Turqi. Ndeshjet e kthimit luhen pas një jave në “Qemal Stafa”. Pikërisht kjo ka krijuar një situatë të pakëndëshme dhe të sikletëshme për Federatën dhe futbollin shqiptar në tërësi. Stadiumi “Qemal Stafa” është i vetmi stadium që UEFA, duke toleruar pak nga rregullat e saj, ka pranuar të luhen takime ndërkombëtare të këtij niveli. Por dy takime brenda një ditë është e pamundur të luhen në këtë stadium, ndaj UEFA po shqyrton mundësinë që ndeshjen e parë Kukësi ta luajë në Tiranë, ndryshe nga çfarë vendosi shorti, e më pas ndeshjen tjetër në Turqi. Për të mos hequr dorë nga avantazhi i luajtjes së takimit të parë në transfertë, nënkampionët e Shqipërisë po shqyrtojnë mundësinë për ta luajtur ndeshjen në një datë tjetër ose në një stadium tjetër, por kjo duket një kërkesë e vështirë për t’u pranuar nga UEFA./indeksonline/