Arian Çani propozon t'i hiqet shqiponjës njëri kren

Shqiponja dy krenare është vetë pengesë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Gazetari nga Tirana dhe drejtuesi i emisionit Zonë e Lirë Arian Çani propozoi që shqiponjës me dy krena t’i hiqet njëra. “A i keni bërë pyetje vetes ndonjëherë pse flamuri shqiptar ka dy koka. Këtë pyetje e kam bërë gjithë jetës dhe s’më ka dhënë askush përgjigje të saktë. Është e frikshme. Unë propozoj që shqiponjë të jetë me një kokë. Duke pas një flamur me një kokë do të thotë se Kosova dhe Shqipëria janë një”, theksoi Çani. Si mysafir i debatit Kosovarë dhe Shqiptarë në Info Magazine të Klan Kosovës, publicist Astrit Gashi deklaroi se çështja e flamurit është problem estetik. “Kishte me qenë shumë mirë që problemet e ngjyrave të flamurit me u ndal tek çështja e flamurit. Është më pak i rëndësishëm flamuri, është krejt çështje estetike. Me rëndësi është shteti që duhet të bëhet”, deklaroi publicisti kosovar. Gashi tha se kosovarët dhe shqiptarët janë zhvilluar si dy identitete të ndryshme gjatë kohës. “ Fakt që i përkasim një tërësie nacionale kombëtare, por në fakt me ndarjet historike jemi rritur e ndërtuar si struktura të ndara të një kombi. Kemi përmbajtje të ndarë prej njëri tjetrit, në identitet, në aspektin kulturor por edhe në gjera tjera politike”, konstatoi ai. Por me këtë tezë të publicisti kosovar nuk u pajtua drejtuesi i Zonë e Lirë. “Unë them shyqyr që jemi pak më ndryshe. Mendoj se duke qenë ndryshe jemi një. Imagjino sikur të kishim të njëjtin dialekt dhe të njëjtat rite. De juro jemi dy shtete por de fakto mendoj se një, sepse me rrugën e kombit jemi bashkuar”